REAGIM
Prishtinë, 07.08.2019
Menaxhmenti i NPL ’’Stacioni i Autobusëve’’ sh.a. Prishtinë reagon ndaj deklaratave dhe akuzave të pavërteta dhe qëllimkëqija të kryetarit të Shoqatës së Transportuesve të Kosovës, z. Ruzhdi Kurtishaj, lidhur me problemin që ka kompania e tij transportuese Sharr Travel me kompaninë transportuese SH.P.K. Lipjani
Përkundër tentimeve të z. Kurtishaj që këtë problem ta bartë drejt ndërmarrjes “Stacioni i Autobusëve” sh.a. Prishtinë, për hir të njoftimit të opinionit publik, por edhe të mediave dhe organeve përgjegjëse, deklarojmë si në vijim:
Me vendim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Kompania Transportuse “Sharr Travel” dhe Kompania Transportuese SH.P.K. Lipjani, të cilat mbajnë vijën Prishtinë-Prizren, nisen me vetëm 5 minuta dallim në mes tyre – Njëra në 15:15 e tjetra në 15:20, përkundër faktit që nisjet në relacione ndërurbane kanë të paktën 15 minuta dallim si kohë mbrojtëse sipas udhëzimit administrativ 08/2013 për licencimin e Stacionit te Autobusëve.
Përkundër faktit që kompanitë janë në proces gjyqësor lidhur me kontestin për linjën Prishtinë – Prizren me vendim të gjykatës kompanisë transportuese SH.P.K. Lipjani, i është kthyer e drejta e nisjes për linjën Prishtinë – Prizren nga ora 15:20 (ashtu siç e ka përcaktuar Ministria), nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë. Si rrjedhojë, dhe meqenëse nisja e kompanisë Sharr Travel në relacionin Prishtinë-Prizren (po ashtu me vendim të Ministrisë ) bëhet nga ora 15:15, me qëllim të shmangies së çfarëdo konflikti mes këtyre dy kompanive brenda hapësirës së Stacionit të Autobusëve në Prishtinë. Menaxhmenti i Stacionit të Autobusëve ka vendosur që: për shkak se nisjet janë shumë afër njëra me tjetrën – që njëra kompani të niset nga peroni numër 5 (që është i paraparë për këtë lidhje) e tjetra nga peroni numër 10, përderisa një ditë më vonë kompanitë i ndërrojnë numrat e peronave të nisjes. Ky lloj orari është vendosur që të aplikohet deri në një vendim tjetër të gjykatës.
Stacioni i Autobusëve nuk e cakton kohën e nisjes për asnjë operatorë, por vetëm kryen shërbimin e peronizmit dhe të shitjes së biletave, andaj edhe nuk mund të marrim përsipër përgjegjësitë e tjetërkujt, por vetëm synojmë që të shmangim problemet e çfarëdollojshme të klientëve tanë, dhe që shërbimet e ofruara nga ne të jenë sa më kualitative.
Çfarëdo sqarimi apo deklarimi tjetër, nga kushdo qoftë, qëndron larg me të vërtetën dhe sigurisht se mund të ketë edhe qëllime dhe interesa të fshehta.
Me nderime,
Menaxhmenti i NPL’’ Stacioni i Autobusëve’’ sh.a. Prishtinë